www.fgks.org   »   [go: up one dir, main page]

BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 22 shtator 2009 - 08:44 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Dënohet Enciklopedia maqedonase
 

 
 
Enciklopedia maqedonase
Shqiptarët dënojnë enciklopedinë maqedonase
Partitë politike shqiptare në Maqedoni e konsiderojnë botimin e Enciklopedisë Maqedonase si "kërcënim të kushtetutës dhe karakterit shumë etnik të Maqedonisë", si dhe nxitëse të urrejtjes ndëretnike.

Ata mbështetën një deklaratë të lëvizjes qytetare Zgjohu, ku bëhet thirje që të tërhiqet botimi i enciklopedisë si dhe qeveria, si financuese, të distancohet prej saj.

Por redaktori i enciklopedisë thotë se në asnjë mënyrë ajo nuk do të tërhiqet nga qarkullimi.

Organizatat joqeveritare dhe partitë kryesore shqiptare opozitare dhe në pushtet u bënë një në reagimet kundër botimit të enciklopedisë Maqedonase.

Kundërshtime

Të organizuar nga Lëvizja qytetare “Zgjohu”, ata kërkojnë të ndërmeren hapa për të ndaluar botimin nga qarkullimi.

Ata thanë se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, për tërheqjen dhe përmisimin e enciklopedisë, do të padisin institucionet në gjykatë, por dhe do të protestojnë në mënyra të ndryshme.

Përfaqësues i lëvizjes “Zgjohu”, Ardian Limani, tha duke lexuar kërkesat e përbashkëta se Enciklopedia "cënon karakterin kushtetues multietnik të vendit, nxit urrejtje ndër etnike, falsifikon historinë e popullit shqiptar, përvetëson figura më të ndritura si Nëna Terezë, fyen rëndë ndjenjat e çdo shqiptari.”

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet, Xhevat Ademi, tha se partia e tij do të angazhohet që autorët e enciklopedisë të dënohen.

“Këshilli redaktues e botues i kësaj gënjeshtre të mbështjellë me kopertinat e enciklopedisë t'u kërkojë falje shqiptarëve, dhe urgjentisht të tërhiqet ky botim skandaloz, i cili rrezikon të kalojë në një konflikt rajonal,” tha zoti Ademi.

Një ndër drejtuesit e partisë Demokracia e Re (DR) e opozitës, Sulejman Rushiti, tha se falsifikimi i historisë së përbashkët nuk është një çështje e politikës ditore, dhe prandaj duhet bërë një në reagim.

“Nuk mund të lejosh që një grup joformal, që i ka rrënjët thellë në strategji të vjetra, të ofendojë në atë mënyrë një pjesë të lavdishme të historisë shqiptare,” tha zoti Rushiti.

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), siç është njoftuar, mbështet kërkesat e shpalosura edhe pse nuk kishte përfaqësues të saj në reagimin e organizuar.

Enciklopedia për shqiptarët

Pjesë të Enciklopedisë maqedonase konsiderohen nga akademikët shqiptarë si “raciste”.

Sipas tyre, ajo i përshkruan ndër të tjera shqiptarët me epitete ofenduese dhe si “njerëz mali”.

Dokumenti sugjeron se është ushtruar dhunë dhe janë dëbuar maqedonasit nga shqiptarët në shekullin e 16-të, kur kanë filluar të popullojnë trevat e Maqedonisë.

Për UÇK-në ai thotë se është stërvitur nga ushtarë të njësiteve speciale britanike, SAS, dhe oficerë të ushtrisë amerikane.

Ambasadat e këtyre dy vendeve në Shkup reaguan ashpër ndaj pohimeve të tilla.

Enciklopedia, e përshkruan udhëheqësin politik të ish-UÇK-së, tani kryetar të BDI-së, Ali Ahmeti, si të akuzuar për krime lufte, ndërkohë që nuk ka një gjë të tillë.

Kritikët thonë se enciklopedia nuk tregon identitetin shqiptar të Nënë Terezës, ndërkohë që ka fakte të shtrëmbëruara edhe Skënderbeun.

Edhe pas reagimeve redaktori i enciklopedisë, Bllazhe Ristevski i tha BBC-së se enciklopedia është shkruar mbi fakte të verifikuara.

“Ne nuk e bëmë enciklopedinë që ta tërheqim, por që të shërbejë si një produkt i shkencës maqedonase për Maqedoninë e dikurshme dhe të tanishme," thotë zoti Ristevski.

"Sa i përket ndryshimeve, le të urdhërojnë, nëse kanë argumente mund të flasim për botimin e dytë," tha zoti Ristevski.

 
 
LOKALE
Kërkohet tërheqja e Enciklopedisë
21 shtator 2009 | Faqja Kryesore
Botim që shkakton debat dhe indinjatë
18 shtator 2009 | Faqja Kryesore
Reagime për Enciklopedinë Maqedonase
18 shtator 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>