www.fgks.org   »   [go: up one dir, main page]

Vetëm gratë gjakojnë

20/07/2010

Vetëm gratë gjakojnë

Nga ARBËR SHTËMBARI

Në Shqipëri gratë rrihen! Natyrisht, këtu nuk kemi thënë ndonjë gjë të re. E vërteta është se rrihen. Ky është një fakt që konfirmohet çdo vit edhe prej raporteve të shumta që përgatiten prej organizmave shtetërore apo prej OJQ – ve. Nga këto raporte mësojmë përqindjet e rasteve të grave të dhunuara, nivelin e perceptimit të shoqërisë shqiptare ndaj dhunës mbi gratë, sikundër mësojmë edhe kategoritë e dhunës së ushtruar, (kryesisht) në formën e dhunës fizike, seksuale, verbale, psikologjike etj. Pak a shumë dukuria trajtohet nga një këndvështrim i pastër juridist, ku të “akuzuarit” janë (kryesisht) burrat, ndërsa viktimat janë gratë. Edhe trajtimi i kësaj dukurie realizohet përmes një forme të humanizmit naiv: më tepër përkulemi te pasojat, sesa te dinamika e zhvillimit të kësaj dhune.

Ndërkohë që përmendim kategoritë e njohura të dhunës, ato që diktohen në mënyrë empirike, dhunën simbolike, atë që e kemi të pranishme në mënyrë të përorshme në çdo institucion social, gati – gati nuk e përmendim fare. Dhe shkon e bëhet më shqetësuese si dukuri kjo, kur si e tillë, domethënë si dhunë simbolike, nuk përfshihet fare në raportet zyrtare të organizmave shtetërore dhe në ato të OJQ-ve! Po përse ngjet kështu, kur dihet që kjo dhunë simbolike, krejt e padukshme (pasi na jepet e natyralizuar), por aq shumë e pranishme në jetë?! A nuk jemi të tërë faktorë objektivë, por edhe subjektivë, në shoqëri, duke realizuar, si në një formë të pavetëdijshme bazën e ri(de)gjenerimit të dhunës mashkullore në çdo aspekt të jetës në vendin tonë?!

Siç jemi të gjithë dëshmitarë, problemi i dhunës ndaj grave ka qenë përherë një tabu. Ka qënë një problem intim. Ka qënë dhe, çuditërisht, ka mbetur një çështje personale e pakëz më shumë se personale, domethënë – familjare! Edhe pse ka kode të shkruara që e mbrojnë gruan, këto nuk përfillen, sepse, pse të mos e pranojmë, mbi këto kode veprojnë kodet e pashkruara! Kodet që dhunojnë gruan. Kështu, para disa ditësh, teksa vizitoja një mik, ende pa u ulur mirë e shoqja e tij u ngrit sikur t’i ishte dhënë një urdhër prej dikujt që nuk kishte emër (por që asaj i kish mbërritur në bazën mendore) dhe nisi të ekzekutonte ritualin “normal” të të bërit të kafesë!

Mirëpo çasti psikologjik nuk mbaroi këtu. Sërish pa ia kërkuar kush, por nisur nga “normaliteti femëror”, ajo kërkoi të mësojë masën e “dhunës simbolike”, duke pyetur me pafajsi: “A ta kam bërë të mirë kafen?”. Dhe, me tabaka në duar, qëndroi thuajse gatitu më këmbë, derisa mori pohimin tim, që, natyrisht, i shkaktoi një farë kënaqësie.

Raportet sociale të kësaj natyre burrë – grua zbulojnë lojën simbolike midis dominuesve dhe të dominuarëve. Kjo lojë, tashmë tepër e zakonshme, është jetësuar në komunitet, duke u trupzuar natyrshëm te të gjithë. Aktualisht shikohet një e vërtetë e pakundërshtueshme: sillemi sikur grave t’u pëlqente apriori gatimi, pastrimi i shtëpisë, kujdesi për fëmijët… Këto dhe mjaft punë të tjera shtëpiake të seksuara, funksione të atribuara arbitrarisht vetëm grave, ardhur natyrshëm deri sot prej socializimeve të hershme, kanë bërë që edhe vet gratë – viktima, megjithë tensionet e përkohshme nën çatinë e përbashkët, i pranojnë si të tyret!

Dhuna simbolike, një formë e veçantë si e tillë, krijon jo vetëm sisteme të reja klasifikimi, por formon edhe hapësira fizike specifike të dhunës; në shtëpi, në punë a gjetiu. Ndërkohë, kjo lloj dhune krijon edhe një lloj kalendari të saj. Kështu, për shembull, gjatë javës në këtë të ashtuquajtur kalendar dhune asaj i duhet të mbajë parasysh detyrime të tilla, gjatë ditëve – përveshja e mëngëve pasi vjen nga puna; gjatë fundjavës – përkushtimi tërësisht ndaj pastrimit të shtëpisë, të shkallës, të oborrit…

Të dominuarat, (gratë), të mikluara edhe prej disa miteve fars, si atij që lidhet me “bukurinë femërore” dhe kujdesin për trupin, kujdes që shkon gati – gati në një fashizëm të bukurisë, qendrojnë në pritje të reagimit të burrave. Ndërkohë që shumë prej këtyre të fundit janë gati të japin edhe jetën për një ofendim që do të mund t’u prekte nderin nënave a bashkëshorteve të tyre, ndërkohë që brënda shtëpisë janë po këta që shndërrohen në dhunues potencialë! Nga ana tjetër, gratë kanë pranuar e përqafuar vizionin e dominuesve dhe, kështu, janë bërë bashkëpunëtore të pavullnetshme në principium ordinem social ekzistues.

Për të kuptuar dhunën mashkullore te ne do të duhej, pra, të tejkalohej këndvështrimi juridist, që merret thjesht me pasojat, apo vetëm me fajtorët e dhunës direkte, asaj të dukshme, dhe të gërmohej më thellë, porsi arkeologë, për të zbuluar atë sarkofag që e kemi groposur së bashku dhe ku ruhet e vërteta e kësaj dhune. Pa rënë në teza qesharake komplotesh të burrave ndaj grave, në këtë arkeologji të dijes, siç thoshte filozofi francez, Fuko, ndoshta do të duheshin të shmangeshin edhe analizat marksiste, që e vendosin theksin te diferencat (materiale) që krijohen midis sekseve në raport me prodhimin dhe me format e prodhimit. Engelsi pat thënë, se “martesa është një formë prostitucioni”, duke aluduar këtu mbi përfitimet materiale prej riprodhimit të raporteve të dominimit.

Analiza materialiste, që shmangte studimin simbolik e kulturor në raportet burra – gra, u vu në pikëpyetje nga disa lëvizje radikale feministe, ku një nga sloganet më të njohura ka qënë “Proletarë të të gjitha vendeve, kush jua lanë çorapet”! Që prej viteve ’70 përpjekjet feministe kanë ardhur duke u zbehur, pasi, duke u fokusuar vetëm te rolet dhe statuset, siç thoshte Simone dë Bovuar, “nuk lindesh grua, por bëhesh e tillë”. Sot mekanizmat e dhunës mashkullore tentojnë të fshihen, të bëhen më të padukshme. Ndaj analiza e duhur për të kuptuar dhunën ndaj grave do të ishte ajo që do të integronte edhe studimin empirik të të mirave simbolike në raportet sociale midis burrave e grave. Pikërisht kjo analizë do të zbulonte mekanizmin e ndërtimit në kohë dhe të strukturimit të brendshëm të gjinive në vendin tonë.

Dhe kjo analizë, natyrisht, do të hapte fusha të reja aksioni për të zbutur e, pse jo, edhe për të zgjidhur konfliktet dhe tensionet midis sekseve në vendin tonë. Jeta e ka brënda të vërtetën e saj: fytyra e veprimit emancipues duhet mbajtur e kthyer drejt grave. Se vetëm gratë gjakojnë.

5 lexues e pelqejne kete shkrim.

Leave a Reply

Gaz 51

Gazeta

Shkarko PDF
Instituti AG Radiostacioni

Vetevendosje

vetevendosje.org

Kalendar

July 2010
M T W T F S S
« Jun   Aug »
 1234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293031